Ka thirrje për sulme ndaj Policisë”- Nushi: Personat e dhunshëm do të identifikohen pavarësisht maskave, ja masat që janë marrë

Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë në kuadër të tubimit të paralajmëruar për ditën e sotme, pas thirrjeve të publikuara në rrjetet sociale për akte dhune dhe përplasje me efektivët e Policisë.

Drejtues Albert Nushi, Shef i Sektorit të Drejtimit në Departamentin për Sigurinë Publike, në një deklaratë për median tha se në platformat online janë konstatuar thirrje për grumbullimin e personave të maskuar dhe të pajisur me lëndë piroteknike, bomba molotov, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Gjithashtu, Nushi bën me dije se janë evidentuar mesazhe që nxisin sulme ndaj punonjësve të Policisë, djegien e automjeteve të uniformave blu dhe dëmtimin e pronës publike e private. Për këto raste ka nisur procedimi penal, ndërsa strukturat e specializuara po punojnë për identifikimin e personave përgjegjës.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që marrin pjesë në tubim të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të mos përfshihen në veprime të paligjshme.

Një apel i veçantë u është drejtuar prindërve, që të mos lejojnë fëmijët të ekspozohen ndaj situatave të rrezikshme, si dhe gazetarëve, të cilëve u kërkohet të respektojnë perimetrat e sigurisë.

Autoritetet theksojnë se do të garantojnë të drejtën kushtetuese për tubim paqësor, ndërsa reagimi ndaj çdo akti dhune do të bëhet në përputhje me ligjin dhe parimin e proporcionalitetit.