Jam student i Mjekësisë me mesataren 10”/ Flet 20-vjeçari që Rama publikoi me iniciale për precedent penal

Një student 20-vjeçar i Fakultetit të Mjekësisë ka reaguar publikisht ndaj kryeministrit Edi Rama, pasi ky i fundit shpërndau fotografinë e një të riu me inicialet J.S., duke e lidhur me precedentë të dyshuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Bëhet fjalë për Joni Sinoymerin, i cili iu bashkua këtë të premte protestës para Kryeministrisë dhe deklaroi për mediat se ishte pikërisht personi i shfaqur në postimin e kreut të qeverisë.

Fillimisht, i riu u paraqit përpara kamerave me një maskë kirurgjikale, të cilën më pas e hoqi, duke treguar fytyrën dhe duke konfirmuar identitetin e tij.


Duke kundërshtuar mbishkrimin “Student? Jo!” të përdorur nga kryeministri, Sinoymeri deklaroi se ndjek studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës dhe pretendoi se ka rezultate maksimale në mësime.

Jam një nga të arrestuarit, jam student i Fakultetit të Mjekësisë. Nuk e di çfarë legjendash shpik ky. Meqë më ka quajtur organizata Antifa, dua të tregoj notat, me mesatare 10.00”, u shpreh ai.


Studenti foli edhe për shoqërimin e tij në polici gjatë së martës së kaluar. Sipas dëshmisë së tij, ai qëndroi në ambientet e komisariatit për rreth shtatë orë e gjysmë, përpara se të lihej i lirë.


I pyetur nëse do të ndërmarrë hapa ligjorë për publikimin e fotografisë dhe pretendimeve ndaj tij, 20-vjeçari nuk dha një përgjigje përfundimtare, duke shprehur mosbesim ndaj institucioneve.


“Nuk e di a do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota. Nuk kam besim te asgjë. Te kush ta denoncoj?”, deklaroi Sinoymeri.